Secondary Adv

Ndryshon qarkullimi në hyrje të Tiranës, nisin punimet në aksin Sheshi Shqiponja–Limuth

Nga 13 nëntori nisin punimet në aksin Sheshi Shqiponja–Limuth. ARRSH njofton devijimin e përkohshëm të një korsie.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se duke filluar nga data 13 nëntor 2026 do të nisin punimet në segmentin rrugor nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, në hyrje të Tiranës. Ndërhyrjet realizohen në kuadër të projektit “Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të qarkullimit në këtë aks.


Punimet përfshijnë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit rrugor, realizimin e sistemit të ndriçimit dhe përmirësimin e shtresave asfaltike nga Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re. Gjithashtu, do të kryhen edhe ndërhyrje të tjera të parashikuara në projekt.


Devijim i përkohshëm i një korsie gjatë punimeve

Sipas ARRSH-së, gjatë zhvillimit të punimeve do të ndryshojë përkohësisht organizimi i qarkullimit në këtë segment. Në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, do të devijohet njëra prej korsive, ndërsa lëvizja e automjeteve do të vijojë në korsitë e tjera të disponueshme.


Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se kontraktori ka marrë masat e nevojshme për organizimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe zbatimin e masave të sigurisë rrugore, me qëllim garantimin e sigurisë së drejtuesve të mjeteve dhe personelit që punon në kantier.


ARRSH u kërkon drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes gjatë kalimit në këtë aks, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve në terren.


Njoftimi i plotë i Autoritetit Rrugor Shqiptar

“Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon zbatimin e projektit ‘Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit’, i cili synon plotësimin e elementeve infrastrukturore dhe përmirësimin estetik të këtij aksi rrugor.


Në kuadër të këtij projekti, duke filluar nga data 13.11.2026, do të nisin punimet e parashikuara, të cilat përfshijnë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit rrugor, realizimin e sistemit të ndriçimit rrugor, si dhe përmirësimin e shtresave asfaltike në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re. Gjithashtu, do të realizohen edhe punime të tjera të parashikuara në projekt.


Gjatë zhvillimit të punimeve, në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, do të bëhet devijimi i përkohshëm i njërës prej korsive të qarkullimit, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes së mjeteve në korsitë e tjera të disponueshme.


Kontraktori ka marrë masat e nevojshme për organizimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe zbatimin e të gjitha masave të sigurisë rrugore, me qëllim garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe të personelit që punon në kantier.


Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe respektimin e sinjalistikës së përkohshme dhe udhëzimeve të punonjësve në terren”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat